SHPËRNDAJE

QËLLIMI I AKREDITIMIT ËSHTË QË TË SIGUROJË QË ARSIMI I OFRUAR NGA INSTITUCIONET E ARSIMIT TË LARTË I PËRMBUSHË KRITERET E PRANUESHME TË CILËSISË

ÇKA ËSHTË AKREDITIMI?

Akreditimi është një procedurë formale dhe transparente e kontrollimit të cilësisë, gjatë së cilës një organ i pavarur vërteton në bazë të standardeve të definuar, ndërkombëtarisht të njohura, nëse institucionet e arsimit te larte përkatësisht programet e studimeve i përmbushin kërkesat minimale të cilësisë.
Procedurat e akreditimit vendosin mbi statusin dhe njohjen e institucioneve dhe programeve të studimit për një kohë të caktuar. Akreditimi në fushën e arsimit të lartë i ofron shoqërisë dhe te gjitha grupeve të përfshira të interesit siguri se cilësia e mësimdhënies dhe studimit i përmbushë standardet minimale ndërkombëtare. Njëkohësisht, akreditimi e rritë nivelin e transparencës në tregun gjithnjë e më të paqartë të ofertave kombëtare dhe ndërkombëtare të arsimit.

FUNKSIONET KRYESORE TË
AKREDITIMIT JANË:
• Mbrojta e studentëve nga ofertat, të cilat nuk dëshmohen që sjellin deri te arritja e rezultateve të parapara (punësim, njohjen ndërkombëtare të gradës së fituar etj.);
• Transparencë, krahasueshmëri dhe përmes kësaj më shumë mundësi zgjedhjeje në tregun e arsimit dhe të punës si në vend ashtu edhe jashtë;
• Lehtësim të mobilitetit ndërkombëtar përmes njohjes së dyanshme të studimeve dhe përmirësim i mundësive të të diplomuarve në tregun europian të punës;
• Krijimi i një baze për konkurrencë fer midis institucioneve të arsimit për studentë përkatësisht për mjete publike ose private

STANDARDET
Në bazë të rregullave ligjore të Ligjit mbi Arsimin e Lartë në Kosovë (Nr. 04/ L – 037), Udhëzimit Administrativ mbi Licencimin e Bartësve Privatë të Arsimit të Lartë në Kosovë (Nr. 25/ 2012), Udhëzimit Administrativ mbi Themelimin e Agjencisë të Akreditimit të Kosovës (Nr. 11/ 2004), Udhëzimit Administrativ për Akreditimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë në Republikën e Kosovës (Nr. 02/ 2013) dhe Udhëzimit Administrativ mbi Kriteret dhe Procedurat për Akreditimin e Shkollave të Larta Profesionale dhe Shkollave të Larta Teknike në Republikën e Kosovës (Nr. 12/ 2009), Agjencia e Kosovës për Akreditim ka vendosur kushtet dhe kriteret për akreditimin e institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë.
Me kërkesën për akreditim duhet sillen dëshmi që kushtet për akreditim dhe kriteret bazë janë plotësuar.

Kush Akrediton?
Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA), është themeluar në mars të vitit 2008 nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) në pajtim me Ligjin mbi Arsimin e Lartë (2003/14) në Kosove, si Agjenci që garanton cilësinë e punës arsimore dhe kërkimore shkencore ne Institucionet e Arsimit të lartë në Kosovë.
Agjencia e Kosovës për Akreditim është autoritet i pavarur, i cili akrediton dhe riakrediton institucionet publike dhe private të arsimit të lartë për një periudhë të kufizuar kohore.

Misioni I agjencisë
Përmes procesit të akreditimit AKA mbështet zhvillimin e cilësisë në Institucionet e Arsimit të Lartë dhe në të njëjtën kohë siguron shoqërinë e Kosovës se cilësia e mësimdhënies dhe mësimmarrjes është e nivelit të standardeve ndërkombëtare.

Përgjegjësitë primare të
AKA-së janë:
• Akreditimi i institucioneve publike dhe private të arsimit të lartë;
• Akreditimi i institucioneve të reja të arsimit të lartë dhe programeve të tyre;
• Akreditimi i programeve të reja në institucionet e akredituara të arsimit të lartë;
• Kontrolli i vazhdueshëm i cilësisë në institucionet e akredituara dhe programeve të tyre

Qëllimet e AKA-së:
• Hapja e sektorit të arsimit të lartë për ofertues vendor dhe të huaj;
• Sigurimi i cilësisë për të gjitha institucionet në sektorin e arsimit të lartë;
• Promovimi, inkurajimi dhe zhvillimi i cilësisë në sektorin e arsimit të lartë;
• Krijimi i transparencës dhe krahasueshmërisë në interes të ofertuesve, studentëve dhe tregut të punës;
• Inkurajimi i përmbajtjeve dhe formave inovative të arsimit të lartë;
• Sigurimi i krahasueshmërisë së diplomave të lëshuara nga bartësit e arsimit të lartë kosovar me diplomat ndërkombëtare;
• Implementimi i objektivave për integrimin e Kosovës ne Hapësirën Evropiane të Arsimit të Lartë dhe kontributi ne zhvillimin e saj.
• Parimet e Punës së AKA-së:
• I merr vendimet e saj në përputhje me standardet ndërkombëtare te cilësisë;
• I merr vendimet e saj në bashkëpunim me ekspertë ndërkombëtarë;
• I merr vendimet e saj në mënyrë të pavarur dhe i arsyeton në mënyrë bindëse dhe të kuptueshme;
• Orientohet sipas zhvillimeve në fushën e politikave arsimore në Kosovë dhe në Evropë;
• Bashkëpunon me partnerë ndërkombëtarë dhe synon të bëhet anëtar i rrjetave dhe forumeve ndërkombëtare në fushën e sigurimit të cilësisë;
• Ka komunikim të vazhdueshëm me bartësit e arsimit të lartë dhe mësimdhënësit e studentët e tyre;
• E bartë përgjegjësinë e saj ndaj opinionit publik dhe vendimmarrësve politik përmes informimit adekuat;
• I harton rregullat për procedura, standardet dhe kriteret për vlerësim, dhe i bën publike;
• E mbështet punën e saj në praktikat e mira ndërkombëtare;
• E bën vlerësimin e jashtëm të veprimtarisë së saj në baza të rregullta.

KUSHTET PËR AKREDITIM

1. FORMA JURIDIKE DHE SELIA
Institucioni aplikues duhet të jetë person juridik me seli në Kosovë.

2. OFERTAT E STUDIMIT
Bashkë me kërkesën duhet të dorëzohen edhe planet përkatëse të studimit:

• Universiteti duhet të ofrojë programe të akredituara për minimumkatër vite në të paktën pesë fusha të ndryshme të studimit për të cilat fusha ka pasur së paku një të diplomuar për studime të doktoratës në secilën prej këtyre programeve.
• Kolegji Universitar duhet të ofrojë programe të akredituara në së paku tri fusha të ndryshme të studimit me së paku një program të akredituar të doktoratës në secilën prej këtyre fushave të studimit.
• Kolegji duhet të ofrojë programe të akredituara në të paktën një fushë të studimit për së paku një cikël.
• këto programe të studimit duhet të përfundojnë me një gradë akademike, e cila përmbush standardet ndërkombëtare dhe e cila ndahet për studime të rregullta,
• këto programe të studimit duhet të ofrohen në një apo fisa disiplina shkencore, akademike apo profesionale
• ose duhet të ofrohen studime që zhvillohen pas studimeve tjera akademike (specializime).
3. KRAHASUESHMËRIA E STUDIMEVE

Nëse institucioni aplikues i arsimit të lartë dëshiron të ndajë grada të njëjta akademike si institucionet në Hapësirën Evropiane te Arsimit të Lartë (HEAL), atëherë studimet e tij dhe rezultatet e pritura edukative ne përgjithësi ne institucionin aplikues duhet të jenë të krahasueshme me ato të institucioneve të ngjashme në HEAL.

4. PERSONELI MËSIMDHËNËS
Kualifikimi i personelit mësimdhënës në institucionet e arsimit të lartë duhet të korrespondojë me standardet ndërkombëtare shkencore, artistike dhe profesionale. Kërkesës duhet t’i bashkëngjiten edhe kontratat ligjore obliguese me këtë personel. Këto kontrata duhet të dëshmojnë masë të mjaftueshme të stafit për studimet e planifikuara.

5. HAPËSIRAT
Institucioni aplikues duhet të ketë në dispozicion personel, hapësira dhe aparatura (p. sh. kompjuterë, bibliotekë etj.) të mjaftueshme për studime efektive. Këto duhet të sigurohen në përputhje me llojin e institucionit arsimor.
Kërkesës duhet t’i bashkëngjiten dëshmi përkatëse për personelin, hapësirën dhe aparaturën.

6. PARIMET
Institucioni i Arsimit të Lartë duhet ta orientojë veprimtarinë e tij në parimet në vijim:

– Liria e shkencës dhe mësimdhënies;
– Liria e krijimtarisë artistike, e ndërmjetësimit të artit dhe mësimdhënies së tij;
– Ndërlidhja e hulumtimit dhe mësimdhënies;
– Shumëllojshmëria e teorive artistike, e metodave dhe e ideve të mësimdhënies.

7. EMËRTIMET E INSTITUCIONIT
LAL specifikon kur një institucioni arsimorë ka të drejtë ta quajë vetën “Universitet”. Fjala “Universitet” si fjalë e ndarë ose në kombinim me përshkrime të tjera, nuk mund të miratohet ose të përdoret në çfarëdo forme në emërtimin e ndonjë bartësi pa lejen e Ministrisë, pas miratimit në parim nga ana e AKA-së.

Gradat akademike të institucioneve private të arsimit të lartë të akredituara kanë vlerë të njëjtë juridike si ato të institucioneve publike.

8. KRITERET BAZË

Liria akademike
Institucioni i arsimit të lartë duhet të jetë autonom dhe duhet të garantojë liri akademike. Përmes statutit të tij dhe strukturave organizative duhet të sigurojë lirinë në hulumtim (në respektim te parashtrimit të pyetjeve, teorive dhe metodave si dhe në përhapjen e rezultateve të hulumtimit dhe vlerësimit të tyre) dhe lirinë e mësimdhënies (në respektim te shumëllojshmërisë përmbajtjesore dhe metodike të lëndëve si dhe lirisë për shprehjen e mendimeve shkencore dhe artistike).

Gjerësia dhe shumëllojshmëria
Institucioni duhet të ketë brenda një ose disa disiplinave një ofertë të gjerë dhe të shumëllojshme të studimit, të cilat i përshtaten konceptit evropian për arsimin e lartë. Disiplinat mund te përmbajnë fushat tradicionale si p.sh. mjekësi, muzikë, drejtësi ose teologji, por edhe kombinime te reja drejtimesh me një gjerësi të krahasueshme.

Hulumtimi në institucion
Hulumtimi duhet të bëhet në institucion. Kjo e kushtëzon praninë e një mase kritike me prodhim të institucionalizuar të dijes dhe një rilidhje përkatëse me mësimdhënien.

Personeli mësimdhënës
Institucioni duhet të ketë në dispozicion personel të përhershëm dhe të mjaftueshëm shkencor, artistik dhe akademik, në marrëdhënie të rregullt pune me kontrata në kohëzgjatje prej së paku tri vitesh. Ky personel i përhershëm duhet të jetë i kualifikuar ose të jetë dëshmuar në arte (PhD apo arritje artistike dhe duhet të mbuloj së paku 50% te ngarkesës së përgjithshme të kurseve të programeve. Për sigurimin e lidhshmërisë së hulumtimit dhe të mësimdhënies ky personel i përhershëm duhet të ketë së paku tre persona për secilin program studimi, prej të cilëve së paku njëri duhet të ketë statusin si profesor i rregullt (ordinar). Ky person duhet të dëshmojë kualifikim të lartë shkencor ose artistik.
Procedurat e përzgjedhjes së personelit
Procedurat e institucionit për përzgjedhjen e tërë personelit duhet të jenë transparente, konkurruese dhe të udhëhequra nga cilësia.

Sigurimi i cilësisë
Institucionet duhet të kenë politika të brendshme dhe procedura përkatëse për sigurimin e cilësisë së programeve dhe gradave të tyre.

Planet e studimit
Planet e studimit (kurikulat e detajuara) dhe rregulloret e provimeve duhet t’i përmbushin kërkesat materiale, profesionale dhe formale dhe sipas standardeve ndërkombëtare. Pranimi në studime duhet të korrespondojë me rregulloret e Kosovës dhe parakushtet e përgjithshme për pranim në arsimin e lartë.

Hapësirat dhe aparatura
Hapësirat dhe aparatura duhet të ofrojnë mjete adekuate për studime sipas standardeve ndërkombëtare.

Financimi
Financimi afatmesëm i institucionit duhet të dëshmohet përmes një Biznes-Plani të detajuar.

Plani zhvillimor
Institucioni duhet të demonstroj se si do të përmbush kërkesat e formuluara më lart në një plan zhvillimor i cili mbulon një periudhë trevjeçare.

Pyetje relevante
Pergjigje nga Ligji Nr. 04/L-037 PËR ARSIMIN E LARTË NË REPUBLIKEN E KOSOVËS

• Kur mundet t’i jepet emërtimi “Universitet” dhe kur “Kolegj universitar”,?

Neni 10 Universitetet
• Në bazë të dispozitave të këtij ligji, emërtimi “Universitet”, mund t’i jepet vetëm atij bartësi të akredituar të arsimit të lartë, që ka ofruar kurse apo programe të akredituara për së paku pesë vjet, në të paktën pesë fusha studimi, sikurse përcaktohet në akt nënligjor të Ministrisë dhe i cili ka nxjerrë të paktën nga një të diplomuar me doktoratë të akredituar në secilin nga këto programe studimi.
• Në bazë të dispozitave të këtij ligji emërtimi “Kolegj universitar”, mund t’i jepet bartësit të akredituar të arsimit të lartë, i cili ofron studime të doktoratës në së paku tri fusha të studimeve 11 dhe që janë të akredituara nga AKA. AKA do të publikojë kriteret e detajuara për caktimin e një bartësi të akredituar si “ Kolegj universitar”, të përcaktuar me akt nënligjor nga MASHT.
• Fjala ‘’Universitet”, si fjalë e ndarë ose në kombinim me përshkrime të tjera, nuk mund të miratohet ose të përdoret në çfarëdo forme në emërtimin e ndonjë bartësi pa lejen e Ministrisë, pas miratimit në parim nga ana e AKA-së

Neni 16 – Gradat dhe diplomat
• Programet e nivelit Baçelor dhe të atyre për diplomë, të ofruara nga të gjithë bartësit e arsimit të lartë, hartohen në mënyrë fleksibile me mundësi regjistrimi dhe transferimi në momente të përshtatshme dhe me dhënien e kredive ose kualifikimeve në varësi të përparimit të studentit. Në formulimin e rregullave, bartësi publik i arsimit të lartë merr parasysh konventat aktuale të Sistemit evropian të transferimit të kredive.
________________________________
Këto informata janë huazuar nga ueb faqja e Agjencisë së Kosovës për Akreditim dhe nga Ligji Nr. 04/L-037 PËR ARSIMIN E LARTË NË REPUBLIKEN E KOSOVËS