SHPËRNDAJE

* Arsimimi është si mali: sa më e lartë ngjitja, aq më e shtrirë panorama.
Ch. Barnard

Jeta për çdo njeri është një udhëtim i vazhdueshëm, nga lindja e deri në vdekje. Që nga nisma e këtij udhëtimi, njeriu ka nevojë për edukim gjithëpërfshirës, i cili fillimisht merret nga prindërit dhe familjarët e tij, e më vonë edhe nga arsimimi i tij shkollor.

Në kuadër të këtij edukimi gjithëpërfshirës, me rëndësi të veçantë është edhe edukimi shëndetësor, për faktin se shëndeti i mirë është bekimi më i madh në jetën e çdo njeriu.

Elementet themelore të edukatës shëndetësore, ku bëjnë pjesë higjiena personale, higjiena e të ushqyerit dhe higjiena e vesh-mbathjes, njeriu fillon t’i merr nga prindërit që në vitet e para të jetës së tij. Pjesa më e madhe e edukimit shëndetësor fitohet gjatë shkollimit fillor dhe të mesëm. Mirëpo, meqë me kalimin e kohës kushtet e jetës dhe banimit, rrethanat socio-ekonomike dhe ambienti jetësorë ndryshojnë, edhe edukimit shëndetësor duhet të jetë proces i vazhdueshëm dhe dinamik gjatë tërë jetës.

Rruga më e mirë dhe më efikase drejtë mbrojtjes dhe përparimit të shëndetit të popullatës së një vendi është ajo që edukimi shëndetësorë të jetë pjesë e kurikulumeve në të gjitha nivelet e arsimit (fillorë, të mesëm dhe të lartë). Me një edukim të mirë shëndetësor mund të ndikohet jo vetëm në drejtim të ruajtjes së shëndetit të mirë, të ndryshimit të stilit dhe kualitetit të jetës, por edhe në jetëgjatësinë e popullatës dhe zvogëlimin e shpenzimeve për mbrojtjen shëndetësore të shoqërisë në tërësi. Thënë ndryshe, investimi në edukimin shëndetësor gjatë gjithë jetës prodhon vlera për shoqërinë.

Në shumë vende të Evropës, edukimi shëndetësorë, si pjesë e shëndetit publik, realizohet nëpërmjet tri niveleve apo institucioneve shoqërore publike, dhe atë: nëpërmjet bashkësive lokale, institucioneve arsimore dhe institucioneve shëndetësore.

Aktualisht, në vendin tonë, promovimi i shëndetit dhe edukimi shëndetësor i nxënësve të shkollave fillore realizohet kryesisht nëpërmjet punës edukativo-shëndetësore që programohet dhe realizohet nga punëtorët shëndetësor të Qendrave të Mjekësisë Familjare në bashkëpunim me punëtorët arsimor të shkollave përkatëse.

Sipas definicionit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, “shëndeti është mirëqenie e plotë mendore, trupore dhe sociale – ekonomike, dhe jo vetëm mungesë sëmundjesh ose të metash trupore”.

Marrë në tërësi, edukimi shëndetësor paraqet kombinimin e aktiviteteve dhe mësimeve të bazuara në përvojën njerëzore e cila atyre u mundëson të fitojnë aftësinë e kontrollimit të faktorëve që ndikojnë në shëndetin e tyre dhe shëndetin e njerëzve të tjerë (International Union for Health Education, WHO Division for health, 1992).
Synimet apo qëllimet themelore të edukimit shëndetësor, janë:

– adoptimi apo fitimi i njohurive / diturive të drejtuara kah ngritja e vetëdijes për rëndësinë e shëndetit, për lidhshmërinë ndërmjet sjelljeve / dukurive individuale dhe shëndetit, si dhe për parandalimin e sëmundjeve;
– zhvillimi i aftësive / shkathtësive për gjetjen, zgjedhjen dhe analizën e informacioneve përkatëse që janë në lidhje me shëndetin, institucionet shëndetësore dhe produkteve të dedikuara për mbrojtjen e shëndetit;
– zhvillimi i aftësive / shkathtësive për eliminimin e sjelljeve të rrezikshme për shëndetin, si dhe krijimin e shprehive / sjelljeve / qëndrimeve të mira që kontribuojnë në mbrojtjen e shëndetit, si dhe formimin e vetëdijes mbi mundësinë e ndikimit personal në gjendjen shëndetësore;
– zhvillimi i aftësive / shkathtësive për analizën e faktorëve të ndryshëm që ndikojnë në shëndetin e njeriut (shprehive dhe kulturave të ndryshme, ambientit jetësorë, pajisjeve të ndryshme teknologjike, mediave të shkruara apo elektronike etj.);
– zhvillimi i aftësive / shkathtësive të komunikimit të cilat kontribuojnë në vendosjen dhe ruajtjen e raporteve të shëndosha ndër-personale në familje dhe shoqëri;
– zhvillimi i aftësive / shkathtësive për përcaktimin e qëllimeve dhe marrjen e vendimeve që i kontribuojnë ruajtjes dhe përparimit të shëndetit;
– zhvillimi i aftësive / shkathtësive të angazhimit aktiv (personal) për shëndetin e mirë të individit, familjes dhe shoqërisë në tërësi. (Health Education Standards).
Procesi i edukimit shëndetësor dhe i ofrimit të informacioneve në lidhje me shëndetin dhe ruajtjen e tij nëpërmjet institucioneve arsimore, në vendet e ndryshme zakonisht realizohet nëpërmjet dy modeleve kryesore:

• Modelit Evropian – “Shkolla për shëndetin”, dhe
• Modelit Amerikan – “Programi shëndetësor shkollor i koordinuar”.

Këta modele nënkuptojnë integrimin, pjesëmarrjen dhe bashkëpunimin e të gjithë faktorëve të institucioneve arsimore në ruajtjen dhe përparimin e shëndetit të fëmijëve dhe të rinjëve, meqë është konstatuar se aktivitetet sporadike dhe të shkurtra edukativo-shëndetësore ose aktivitetet promocionale nëpër shkolla, nuk japin rezultate të duhura në aspektin e përparimit të sjelljeve dhe shëndetit të nxënësve.

Edukimi shëndetësor, si lëndë mësimore, është pjesë e këtyre modeleve, e që nënkupton zhvillimin, realizimin dhe evaluimin e përmbajtjeve dhe aktiviteteve të ndryshme edukativo-arsimore që ndikojnë në përvetësimin, zhvillimin e shkathtësive dhe sjelljeve (qëndrimeve) në drejtim të ruajtjes dhe përparimit të shëndetit.

“SHKOLLA PËR SHËNDETIN”
“PROGRAMI SHËNDETËSOR SHKOLLOR I KOORDINUAR”

Pregatitur nga:
Prof Ass Dr Hedvig M. KADRIU