SHPËRNDAJE

Rr. Shabani & I. Murati
AAC – EdUSA KS

Edukimi jo formal u bë pjesë e diskursit ndërkombëtar mbi politikën e arsimit në fund të viteve 1960 dhe fillim të viteve 1970. Kjo mund të shihet si një lidhje me konceptet e të mësuarit gjatë tërë jetës dhe të mësuarit të përsëritur. Tight (1996:68) sugjeron se, përderisa konceptet e fundit kanë të bëjnë me zgjerimin e arsimit dhe të mësuarit gjatë gjithë jetës, edukimi jo-formal ka të bëjë me “pranimin e rëndësisë së arsimit, të mësuarit dhe trajnimeve që mbahen jashtë institucioneve zyrtare dhe arsimit formal.” Në anën tjetër, Fordham (1993) sugjeron se gjatë viteve të 70-ta edukimi jo-formal kishte këto katër karakteristika:

• Përshtatja me nevojat e grupeve të margjinalizuara
• Puna me kategori të veçanta të njerëzve
• Përqendrim mbi qëllimet e përcaktuara në mënyrë të qartë.
• Fleksibilitet në organizim dhe metoda.

Fordham (1993) komenton se nëse ne tentojmë të ndërlidhim lulëzimin e edukimit jo-formal
dhe ndryshimin e politikave, atëherë vitet e 70-ta me siguri mund të përshkruhen si dekada e edukimit jo-formal (Rubenson 1982).

Edukimit jo formal iu është kushtuar rëndësi më e veçantë pas luftës në Kosovë si rezultat i kërkesave dhe e nevojave të shoqërisë, si dhe një mundësi për të aftësuar dhe kualifikuar për tregun e punës.

Mungesa e aftësimit profesional në institucionet e arsimit, dalja e gjeneratave të reja dhe kualifikimi i tyre jo adekuat për tregun e punës bëjnë që edhe ato pak vende të reja të punës të mos mund të mbulohen me kuadër të kualifikuar. Për këtë arsye, trajnime të ndryshme si ndërmarrësi, qytetari aktive, shkathtësi pune etj, janë të domosdoshme për aftësimin e të rinjve për tregun e punës.

Sipas Strategjisë për Rininë Kosovare 2013-17 një ndër elementet e rëndësishme që ndikon pozitivisht në edukimin jo-formal është edhe përfshirja e të rinjve në projekte inovative dhe kreative, ku ata përfshihen direkt në zbatim të projekteve, gjë që ka ndikim pozitiv në plotësimin e njohurive praktike që të rinjtë i përvetësojnë gjatë ciklit normal të edukimit.

Një shembull i edukimit jo formal është edhe College Prep Club (Klubi Përgatitor për Kolegje dhe Universitete) i organizuar nga American Advising Center, qendra zyrtare EducationUSA ne Kosove.
College Prep Club (CPC) është një grup me nxënësit e shkollave të mesme të cilët përgatiten që të bëhen kandidat të fortë për kolegje dhe universitete në SHBA si dhe të fitojnë bursa studimore. Nxënësit takohen gjatë gjithë vitit akademik dhe marrin pjesë në shumë aktivitete, si: ligjërata, klubin e librit, aktivitete në shërbim të komunitetit, ushtrime / shkëmbime kulturore, si dhe përgatitjen e testeve standardizuese TOEFL dhe SAT. Aktivitetet kanë për qëllim informimin e nxënësve rreth mundësive për studime në SHBA me bursa si dhe përgatitja e tyre si nga ana akademike ashtu edhe ajo shoqërore për jetën e tyre universitare / post-universitare nëpër universitete Amerikane.

College Prep Club (Klubi Përgatitor për Kolegje dhe Universitete) në Kosovë fillon në Nëntor të çdo viti, gjatë Javës së Arsimit Ndërkombëtar (International Education Week). CPC ka për target grup nxënësit e klasave të 11-ta, apo ata që kanë nevojë për bursa dhe janë të kualifikuar për studime në SHBA.
Në Nëntor të 2015 ka filluar grupi i parë i nxënësve të cilët i janë bashkuar CPC-së. Grupi përbëhet nga 30 nxënës nga grupe të ndryshme etnike dhe nga komuna të ndryshme të Kosovës si Prizren, Kaçanik, Prishtinë, Rahovec, Ferizaj, Gjilan, Pejë, Viti etj. Për një vit të tërë, anëtarët e CPC -së kane ndjekur ligjërata, kurse përgatitore, aktivitete të ndryshme akademike dhe shoqërore dhe tani janë në proces të konkurrimit nëpër universitetet e ndryshme botërore dhe amerikane.

Si rezultat i përgatitjes dhe udhëzimeve nga American Advising Center , nxënësit të cilët janë pjesë e College Prep Club treguan sukses te jashtëzakonshme ne testet Standardizuese TOEFL dhe SAT. Shumica e tyre kanë arritur rezultat me më shumë se 100 pikë ( nga 120 totali ) në testin standardizuese TOEFL, dhe mbi 1150 pikë ( nga 1400 totali) në testin standardizues SAT.


American Advising Center, mirëpret cdo vit nxënës për tu bërë pjesë e College Prep Club.

Bibliografia:
Fordham, P. E. (1993) ‘Informal, non-formal and formal education programmes’ in YMCA George Williams College ICE301 Lifelong Learning Unit 2, London: YMCA George Williams College.
Rubenson, K.(1982) Interaction Between Formal and Non-Formal Education Paris, Paper for Conference of the International Council for Adult Education.

Tight, M. (1996) Key Concepts in Adult Education and Training, London: Routledge.