SHPËRNDAJE

(Shkrim realizuar nga intervista me drejtoreshën e shkollës së Muzikës “Prenk Jakova” Prishtinë)

Kushtet në disa nga shkollat publike të vendit tonë janë jo dhe aq të mira, mirëpo edhe përkundër këtij fakti, stafi akademik mundohet që të ofroj sa më shumë përkrahje në zhvillimin e nxënësve të shkollës së tyre.
Një rast të tillë e kemi edhe në shkollën e muzikës Prenk Jakova në Prishtinë, të cilët përveç tjerash përballen edhe me mungesën e një objekti adekuat për zhvillim e mësimit. Shkolla e muzikës “Prenka Jakova”, më konkretisht objekti shkollor i vjetër është rrënuar, dhe stafi i kësaj shkolle së bashku me nxënësit janë vendosur në një objekt tjetër që do të duhej të ishte vetëm përkohësisht, por vazhdojnë të mbesin ende atje. Të gjitha këto gjëra sjellin shumë më tepër sfida për drejtoreshën dhe gjithë stafin.

Sipas drejtoreshës Violeta Krasniqi, e cila udhëheq shkollën e muzikës “Prenka Jakova në Prishtinë që nga viti 2011, shkolla e muzikës si shkollë e vetme publike e llojit të vet në qytet me rrethinë, ka specifikat e veta shumë dimensionale. Duke u nisur nga infrastruktura e cila duhet të jetë e veçantë në krahasim me shkollat tjera, pastaj furnizimi i shkollës me instrumente muzikore dhe mirëmbajtja e vazhdueshme e tyre janë kushte të cilat ua imponojnë realizimin e mirëfilltë të mësimdhënies. Nisur nga këto fakte dhe në kushte të vendit tonë është shumë e vështirë të menaxhohet një shkollë e cila kërkon një trajtim tjetër nga shteti.

Duke e ditur situatën e vështirë të kësaj shkolle, stafi i revistës sonë ishte i interesuar që të dijë më shumë rreth problemeve me të cilat përballet kjo shkollë. Drejtoresha Violeta Krasniqi theksoi se problemet e tyre të përditshme janë të ndryshme, duke i listuar disa nga këto probleme duke filluar nga mos përshtatshmëria e objektit ndaj natyrës së punës, si: klasët nuk janë të izoluara dhe pengohet mësimi nga klasa në klasë, mirëmbajtja e vazhdueshme e instrumenteve ku nënkuptojmë akordimin e pianove, së paku një herë në muaj gjë të cilën nuk arrijnë ta bëjnë. Pastaj kanë edhe probleme tjera, të dokumentacionit si atij legjislativ ashtu edhe shkollor. Nuk ka planprograme adekuate, ditarë me specifika për nevojat e mësimit grupor dhe kolektiv. Kanë mungesë edhe të literaturës në gjuhën shqipe dhe probleme tjera.

Po edhe përkundër problemeve të tilla, nxënësit vazhdojnë të regjistrohen në shkollën e muzikës. Sipas drejtoreshës Violeta Krasniqi, interesimi për regjistrim në shkollën e muzikës është shumë i madh sidomos në ciklin fillor. Mirëpo për këtë shkollë shqetësues është fakti që me rritjen e fëmijëve interesimi bie në masë të madhe dhe kjo ndodh për shumë arsye.

Ndoshta një prej arsyeve do të ishte edhe vetë mungesa e objektit adekuat, për të cilën ne e kërkuam edhe mendimin e drejtoreshës, se si do të ndikonte përmirësimi i kushteve të kësaj shkolle dhe cilat janë planet për të ardhmen. Drejtoresha Violeta shprehet se kushtet e mira dhe përshtatja e objektit nevojave të mësimit muzikor do të reflektonte shumë pozitivisht në cilësinë e mësimit në shkollën e muzikës “Prenk Jakova”. Ajo tregon për investimet e Komunës së Prishtinës, më saktësisht Drejtoria e Arsimit, të cilët kanë bërë përmirësimin e kushteve, duke adaptuar një pjesë të shkollës “Ali Sokoli”, për nevojat e shkollës së muzikës. Gjithashtu janë blerë disa instrumente të reja dhe jemi në proces të akordimit të pianove të shkollës. Për këtë arsye ne të gjithë i jemi mirënjohës DKA-së Prishtinë për investimet e bëra në përmirësimin e kushteve gjithmonë me synim ngritjen e cilësisë së mësimdhënies. Sa i përket objektit të ri, drejtoria e shkollës së muzikës “Prenka Jakova” është ende në pritje të gjetjes së një lokacioni të përshtatshëm nga ana e Komunës.

Duke mos anashkaluar të gjitha problemet që është përballur kjo shkollë ndër vite, kemi edhe anën pozitive të saj, e që janë vetë talentët e dalur nga kjo shkollë.

Edhe përkundër kushteve të vështira në të cilat kanë punuar për 50 vite, nga shkolla “Prenk Jakova” kanë dalë shumë talent të cilët e kanë ngritur kulturën e vendit tonë. Ndër vite kjo shkollë ka prezantuar punën e saj me talent të shumtë që kanë dalë në Festivale të ndryshme. Gjithashtu puna e shkollës është prezantuar dhe vlerësuar pozitivisht në gara të ndryshme të organizuara në ish trevat Jugosllave. Me krijimin e shtetit të Kosovës u hapën mundësi të reja bashkëpunimi dhe prezantimi. Kështu shkolla “Prenk Jakova” vazhdon të marrë pjesë dhe çmime të ndryshme në Festivale dhe gara të ndryshme në rajon dhe më gjerë si: Maqedoni, Kroaci, Shqipëri, Mal i Zi, Itali, Turqi, Gjermani dhe Angli e vende të ndryshme në rajon dhe më gjerë. Shkolla me punën e bërë dhe rezultatet e treguara ka nxjerrë shumë emra të njohur sot në muzikën klasikë në vend dhe botë si: Sihana Badivuku, Shkelzen Doli, Ardita Statovci, Valton Beqiri etj. Aktualisht në këtë shkollë mësojnë 560 nxënës disa nga të cilët premtojnë për të ardhmen si Arsim Gashi, Artida Bakija, Dea Bajrami,Lisa Sahatqiu e të tjerë të cilët marrin pjesë në aktivitetet e shkollës, të Komunës dhe në gara të ndryshme ku gjithmonë vlerësohen lartë për nivelin e arritur artistik.

Kushtet e vështira janë pengesë për shumë gjëra por jo edhe arsyetim i drejtë për të mos punuar, prandaj edhe intervistën me drejtoreshën e shkollës së muzikës e mbyllëm me një moto nga ajo, e cila vlerëson se “Kushti kryesor për sukses është puna sistematike, me përkushtim dhe seriozitet, por mbi të gjitha duhet të ekzistojë vullneti dhe pasioni për instrument.”

Violeta Krasniqi
Drejtoreshë

Prishtinë
12.2016