SHPËRNDAJE

Nga një vend i vogël dhe fare pak i njohur, Kosova gradualisht ka filluar të fitoj famë botërore.

Rita Ora, Dua Lipa, Era Istrefi, Bebe Rexha, këto janë vetëm disa nga këngëtaret me prejardhje nga Kosova të cilat me talentin e tyre arritën të afirmohen në tregun botëror dhe njëkohësisht të promovojnë Kosovën si një vatër talentesh.

Përveç përfitimeve personale që ato kanë arritur, të arriturat e tyre ndikojnë edhe në jetën e qytetarëve të vendit të tyre për të cilin bota deri vonë kishte dëgjuar vetëm në bllokun e lajmeve të zeza.

Këto këngëtare me punën dhe talentin e tyre i treguan botës se Kosova meriton të jetë një vend i lirë, i pavarur dhe të dëgjohet zëri i tyre fuqishëm ashtu siç dëgjohej kohë më parë zëri kumbues i bilbilit Nexhmije Pagarusha.
Ndonëse i përkasin zhanreve të ndryshme muzikore dhe kohërave të ndryshme, promovimi i vlerave kulturore të Kosovës po bëhet fuqishëm njëlloj.

Por sot, për dallim nga dekada më parë kur edhe arti ishte krim, të rinjtë tanë kanë më shumë mundësi. Rita, Dua, Era, Bebe nuk janë ndryshe nga ju, ato thjeshtë shfrytëzuan mirë mundësinë që iu erdhi dhe vazhdojnë të punojnë për rrugën e famës së tyre.

Padyshim që për të arritur në jetë të duhet edhe pakëz fat, por puna dhe talenti janë çelësi kryesor.
Prandaj, Besoni në vete, punoni dhe mund t’ia dilni.