SHPËRNDAJE

Alpinizmi në Kosovë – Intervistë me Arineta Mulën
Sporti në përgjithësi është fushë që kërkon shumë pasion e poashtu edhe shumë punë për ata të cilët duan të bëhen sportist të mire dhe profesionist. Mirëpo nganjëherë njerëzit nuk arrijnë që të zhvillojnë lloje të ndryshme të sporteve për shkak të mungesës së kushteve natyrore, e nganjëherë pengesë për zhvillimin e tyre është edhe vetë mungesa e përkrahjes institucionale apo thjeshtë e një mirë financimi nga familja apo grupe të caktuara.
Këto të fundit i kemi hasur shumë herë në shoqërinë tonë, mirëpo edhe përkundër shumë sfidave fatmirësisht të rinjtë e vendit kanë filluar që të hulumtojnë çdo cep të bukurive natyrore përmes zhvillimit të sporteve të ndryshme. Të tillë e kemi edhe rastin e alpinistes sonë Arineta Mula nga qyteti i Pejës, e cila përveç kënaqësisë për të shijuar bukuritë natyrore, përballon edhe shumë rrezikshmëri për të arritur që të depërtoj edhe përtej kufijve të vendit, duke e përfaqësuar Kosovën denjësisht në disa lloje të sporteve dhe duke përkrahur kauza të rëndësishme për vendin tonë.
Për të mësuar më shumë rreth saj, kemi realizuar edhe një intervistë të shkurtër të cilën mund ta lexoni në vijim.

1. Çfarë është sporti për ju, sa është i rëndësishëm sporti për ju dhe a merreni me sportin si profesion apo pasion?!

Sporti për mua është mënyrë e jetesës. Unë punoj andaj sportin e kam pasion dhe gjithë kohën time të lirë e kaloj me aktivitete fizike. Sporti luan një rol shumë të rëndësishëm saqë nuk mund të mendoj dhe nuk më ndodh që një ditë ta kaloj pa vrapim ose ecje.

2. Që kur keni filluar të merreni me sport dhe cilin sport e ushtroni aktualisht?

Sportin gjithmonë e kam dashur por në 3-4 vitet e fundit kaloj shumë kohë në aktivitete të ndryshme fizike. E bëj një miks të ushtrimeve: vrapim i distancave të shkurtra dhe të gjata, bjeshkatarinë, alpinizëm, zhytje, ushtrime të ndryshme fizike etj..

3. Sa është e vështirë të ushtrosh një sport të tillë në Kosovë, dhe në veçanti për gjininë femërore?

Pak më e vështirë ka qenë në fillim, besoj atëherë kur nuk ka pasur shumë femra të përfshira në sport, mirëpo tani çdo gjë është më ndryshe dhe më e lehtë. Në Kosovë unë mendoj që ka hapësirë të mjaftueshme për këdo që dëshiron të merret me sport. Femrat përgjithësisht njihen për një qëndrueshmëri dhe forcë që nuk lë ndonjë dallim me gjininë mashkullore dhe atë e kemi dëshmuar shpeshherë. Çdo gjë është e vështirë në fillim por mendoj që tani shoqëria ka filluar të vetëdijesohet dhe ka disa grupe të ndryshme që dalin në natyrë andaj edhe e ka bërë më të mirë raportin njeri-natyrë.

4. Sa keni përkrahje institucionale për zhvillimin e këtij sporti?

Sportin e dua jashtëzakonisht e kjo më ka bërë që thuajse të mos mungoj në asnjë organizim të bërë qoftë nga Klubi Alpin Prishtina ose nga grupi i vrapuesve. Shumicën e aktiviteteve i kam mbuluar vetë. Por janë disa ekspedita malore për të cilat fatmirësisht e kemi pasur edhe një përkrahje institucionale. Unë jam e bindur që do vijnë kohë edhe më të mira për të pasur mbështetje edhe më shumë dhe njerëzit të vetëdijesohen për rëndësinë e sportit në jetën e qytetarëve, na duhet kohë dhe do presim. Ndryshimi ka filluar dhe kjo është me rëndësi për momentin.

5. Cilat vende përveç Kosovës keni vizituar?

Ka shumë vende që kemi vizituar. Tani, nëse flasim për vrapim kam realizuar maratonë në Stamboll, Vjenë dhe Athinë e ndërsa së fundi isha edhe në maratonën e pavarësisë Ulqin-Shkodër. Secila ndryshe dhe e veçantë nga tjetra.
Sa i përket bjeshktarisë kemi realizuar ekspedita në: Bullgari, Musala; Francë Mount Blanc; Slloveni, Triglav Afrikë Kilimanjaro; Zvicërr Matterhorn etj. Së fundmi kemi realizuar edhe Via Dinarica me Klubin Alpin Prishtina.

6. Cili vend ka qenë më mbresëlënës për ju?

Për mua mbetët ngjitja në një maje mjaftë sfiduese Matterhorn në Zvicërr. Jam femra e parë dhe e vetme që kam arritur në atë maje. Kjo është arritje e vendit tim dhe e gjithë shoqërisë. Vetë bjeshka është e mahnitshme kërkon një motorikë të zhvilluar të ngjitjes, përgatitje fizike dhe mendore. Është vend i dëshiruar për shumë alpinistë në botë dhe ndihem mirë që kemi arritur të pushtojmë këtë majë bashkë me alpinistin shumë të njohur Liburn Aliu.

7. A do t’ia preferonit këtë sport rinisë sonë dhe a mendoni se ka mjaftë student që kanë pasion për këtë lloj sporti?

Jo vetëm bjeshkatarin dhe vrapimin por të gjitha aktivitetet fizike janë të domosdoshme për shoqërinë tonë. Jemi duke jetuar një jetë mjaftë komplekse me shumë punë dhe ngarkesa të cilat i tejkalojmë shumë më mirë me vetëm një dalje në natyrë. Natyra vendi ku takohesh me miq, zhvillon biseda pozitive, heq stresin, të përmirëson gjendjen shëndetësore etj.

8. Cilat janë aktivitetet e radhës për ju?

Aktiviteti i radhës do të jetë pushtimi i majës më të lartë në botë Everest ku nisja mendohet të bëhet në fund të muajit mars 2017. Jam pjesë e Klubit Alpin Prishtina të cilët ka kohë që janë duke punuar në këtë rrugë. Duhet mund dhe kohë e mbi të gjitha kemi dëshirën dhe vullnetin që me plot besim them që si grup do arrijmë të shënojmë ngjarjen historike të Kosovës – ngjitjen në Everest.

(Në vijim disa foto nga aktivitete të ndryshme të alpinistes Arineta)