SHPËRNDAJE

Me zbulimin, e më pastaj edhe me zhvillimin e vazhdueshëm të produkteve të ndryshme të Teknologjisë Informative, jeta e njerëzve ka ndryshuar. Ky ndryshim ka ndodhur në çdo fushë të jetës së njeriut dhe medoemos që ndikoi edhe në Edukim.

Qasja në informata u bë më e lehtë, komunikimi ndër njerëzor është lehtësuar tej mase në të katër anët e botës. Me anë të produkteve të ndryshme të teknologjisë informative prezantimi i njësive mësimore dhe shembujve të ndryshëm është bërë shumë i lehtë.
Në të kaluarën kishte mungesë edhe të librave dhe njerëzit duhej të shkonin nga një qytet në tjetrin për të gjetur libra dhe informacione në lidhje me tema të caktuara. Sot, jo vetëm që studentët mund ta përdorin kompjuterin e tyre për tu ndihmuar atyre rreth mësimeve dhe rreth hulumtimeve të ndryshme që ata mund të bëjnë në lidhje me mësimet e tyre, por edhe mësimdhënësit e tyre mund ta përdorin teknologjinë për të avancuar mësimdhënien e tyre. Disa nga librat shkollorë tani krijohen edhe me CD-në përcjellëse ku studentët mund ti kenë videot shpjeguese për secilin kapitull apo temë që shpjegohet në libër.
Një shembull relevant mund të jetë në raste kur nxënësit kanë nevojë të shkruajnë ese në lidhje me tema të ndryshme, ndërsa shumë materiale relevante mund ti gjejnë në faqe të ndryshme të internetit që përmbajnë enciklopedi të tëra. Në këtë mënyrë ata mbledhin informata, i përpunojnë ato dhe i plasojnë në një punim eseje. Kjo iu shpejton kohën e mbledhjes së informatave dhe gjatë përpunimit të tyre ata mësojnë shumë në lidhje me temën në fjalë.
Sot, me ndihmën e teknologjisë informative në të ashtuquajturat klasa virtuale mësimet mund të mbahen edhe duke mos qenë prezent në klasat apo objektet e shkollës. Me anë të një kamere digjitale dhe lidhjes në internet mësimdhënësi mund të komunikojë më nxënësit e tij dhe të mbajë njësinë mësimore në kohë reale në vende të ndryshme të botës. Me anë të kësaj teknologjie, si mësimdhënësi ashtu edhe studentët mund të komunikojnë me njëri tjetrin në kohë reale duke shkëmbyer informata dhe duke qenë interaktiv në njësinë mësimore. Shumë kurse të ndryshme si ato të gjuhës ose edhe studime të ndryshme tani mbahen online. Kjo metodë e të mësuarit quhet Distance Learning apo Mësimi nga Distanca. Studentët janë më të interesuar, më interaktiv, e kuptojnë kontekstin e temës më lehtë me anë të videove dhe fotografive të cilat mund të shpjegojnë më shumë se vetëm nga një tekst i një libri të cilit i referohen mësimdhënësit. Pastaj edhe koha e pjesëmarrjes në mësime nuk është e kufizuar pasi që studentët mund tu qasen këtyre njësive mësimore në çfarëdo kohe që ata dëshirojnë.
Me zhvillimin e teknologjisë, procesi i mësimdhënies dhe mësimxënies është menduar të transformohet nga një qasje e dominimit të mësimdhënësit në një qasje e orientuar tek studentët. Kjo do të ndikonte te studentët që të jenë më të motivuar, të mësojnë më mirë dhe më shumë, të zhvillojnë dhe të përdorin kreativitetin e tyre të zhvillojnë aftësitë e komunikimit, të zgjidhjes së problemeve etj.
Teknologjia është duke ofruar mjete të fuqishme që mund ta përkrahin dhe ta transformojnë edukimin për ta bërë më të lehtë për mësimdhënësit për të krijuar materiale udhëzimi e për të bartur më shumë përgjegjësi tek studentët të cilëve teknologjia ua mundëson mbledhjen e informatave dhe punën më të lehtë në grup dhe qasje të mësimit për të gjithë e kudo në botë.
Teknologjia në edukim ka ndikuar edhe në motivim më të madh tek studentë. Dëshira për të provuar diçka të re dhe për ta zotëruar përdorimin e saj ka ndikuar që studentët të jenë të interesuar për produktet e reja te teknologjisë. Këtë interesim mësimdhënësit duhet ta përdorin në të mirë të mësimdhënies dhe mësimnxënies. Kështu, duke iu ofruar sa më shumë raste të përdorimit të teknologjisë studentët çdo herë e më shumë vetë e marrin në dorë mësimnxënien e tyre.
Burime të ndryshme në internet bëjnë që studentët e interesuar mos të iu mjaftojë materialet që kanë në dispozicion andaj në internet mund të përdoren burime të tjera për studentët siç mund të jenë: planet mësimore online, aplikacione të ndryshme edukative, lojëra interaktive, video online dhe qasja në libra e artikuj të ndryshëm.
Tani lënda e gjeografisë është më e lehtë, pasi që në internet mund të gjinden harta të ndryshme aktive në të cilat jo vetëm që mund të gjinden shtetet dhe qytetet e ndryshme por ato mund të zmadhohen në ekran deri te elementi më i vogël i një adrese apo rruge në cilin do pjesë të botës.
Në mungesë të fondeve, shumë shkolla nuk kanë mundësi që ti dërgojnë nxënësit e tyre në udhëtime në vende të ndryshme të botë për të vizituar vende historike, muze apo institute të tjera arsimore. Me ndihmën e teknologjisë shumë nga këto institucione kanë mundësuar qasje në video të ndryshme në lidhje me tematikat që ata prezantojnë.
Vendet e ndryshme historike tani janë shumë lehtë të qasshme edhe pa i vizituar fizikisht, pasi që në internet mund të gjinden fotografi e video të panumërta me shpjegime të detajuara.
Studentët me qasje në internet mund të përcjellin ekspedita të ndryshme të shkencëtarëve në vende të ndryshme të botës, që nga ekspedita të ndryshme në arktik, në Afrikë, në thellësi të oqeaneve të ndryshme apo në xhunglat e thella por edhe të astronautëve në hapësirë. Studentët mund të lexojnë për zbulimet e tyre më të reja, të përcjellin ekspeditat e tyre me anë të videove që ata postojnë në internet, madje mund edhe të komunikojnë me ta duke u shkruar pyetje të ndryshme në lidhje me zbulimet e tyre. Studentët madje mund të komunikojnë dhe të diskutojnë edhe më studentë të tjerë nga shtete të ndryshme të cilët janë duke përcjellë ekspeditat e njëjta.
Për të iu mundësuar studentëve që të jenë sa më afër ndodhive të ndryshme studimi, gjatë mësimit mund të përdoren edhe syzet virtuale 3D, të cilat lidhen me internet apo me ndonjë video player i cili do të ofrojë imazhet të ndryshme si nga ato çfarë është duke parë një astronaut në hapësirë apo një zhytës në thellësitë e oqeanit apo edhe një mjek gjatë operimit në sallën e operacionit. Kjo teknologji ua mundëson studentëve jo vetëm të shohin atë se çfarë po ndodhë por edhe të kenë ndjenjën e prezencës së tyre në vendin e ngjarjes.


Me anë të teknologjisë që mundëson hologramin i cili paraqet një fotografi tredimensionale të njeriut apo të ndonjë objekti, mësimdhënësi mund të jetë prezent në formën virtuale të tij në një ambient mësimor nga një vend në anën tjetër të botë duke ofruar pothuaj të njëjtën përshtypje dhe formë mësimore sikur të ishte në klasë. E njëjta gjë mund të ndodhë edhe për ndonjë objekt studimi siç mund të jetë kulla e Ajfelit apo muri kinez e që me anë të imazheve tredimensionale mund tu paraqitet studentëve objekti në tërësi edhe duke pas mundësin që ta shikojnë çdo detaj.
Se fundmi, janë krijuar edhe robotë të ndryshëm të cilët mund të përdoren në klasa për të ua plasuar studentëve njësitë mësimore.
Ka raste kur me anë të projektorëve të krijuar së fundmi dyshemeja e klasës në shkollën e muzikës është transformuar në një tastierë e madhe pianoje ku mësimdhënësi mund të ua shpjegojë notat muzikore studentëve.
Microsoft ka programe të ndryshme arsimore në shkolla në mbarë botën. Microsoft është në proces për të blerë një variant mësimor të lojës elektronike Minecraft e që më pastaj të njëjtën ta shndërrojë në diçka më të avancuar që do të mund të përdoret në shkolla për njësi të ndryshme mësimore që mësimdhënësit do të dëshironin ti inkorporonin.
Programet e ndryshme arsimore të Teknologjisë Informative përveç fokusit të tyre në masën e gjerë të studentëve ata kanë krijuar edhe programe specifike për nxënësit me nevoja të veçanta siç mund të jenë libra të ndryshme audio për nxënësit e verbër apo edhe për nxënësit që kanë probleme me përqendrim me anë të kufjeve dridhëse të cilat tërheqin vëmendjen e nxënësit sa herë që atyre duhet të iu plasohet një informacion.
Teknologjia ka evoluar pa masë në vitet e fundit, andaj është e rëndësishme që mësimdhënësit duhet të inkorporojnë teknologjinë në klasat mësimore. Ndryshimet në teknologji janë të vazhdueshme dhe këto ndryshime duhet të shkojnë në mënyrë paralele me mësimdhënësit, planet mësimore dhe teknikat e mësimdhënies.