SHPËRNDAJE

American Advising Center  (AAC) është qendër këshilluese e rrjetit EducationUSA, themeluar dhe financuar nga Departamenti i Shtetit Amerikan, nëpërmjet Ambasadës Amerikane në Kosovë.

AAC ofron informata të përgjithshme, të sakta dhe të paanshme për të gjithë studentët dhe studiuesit nga Kosova të cilët dëshirojnë të vazhdojnë studimet e tyre në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe/ose në universitetet amerikane/ndërkombëtare nëpër botë. Përveç kësaj, qendra gjithashtu ofron përkrahjen dhe mbështetje për të gjithë të interesuarit në procedurat e aplikimit – kërkesat dhe afatet për të aplikuar në Universitetet Amerikane, libra dhe kurse përgatitore për testet standardizuese siç janë: iBT TOEFL, SAT, GRE dhe GMAT.

Duke filluar nga viti akademik 2016-2017, AAC ka filluar gjithashtu ofrimin e trajnimeve për licencim dhe zhvillim profesional të mësimdhënësve të Kosovës. Këto trajnime ofrohen nëpërmjet programit “EdUSA Teachers Academy” (Akademia EdUSA për Mësimdhënës), trajnime të akredituara nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë.

Në bazë të Udhëzimit administrativ Nr.04/2010 për kriteret dhe procedurat e akreditimit të programeve të zhvillimit profesional të mësimdhënësve, Këshilli Shtetëror për Licencimin e Mësimdhënësve (KSHLM), ka miratuar dhe akredituar për dy vite këto programe plotësuese për organizatën American Advising Center:

  1. Këshillim për studime në SHBA dhe bursa
  2. Përgatitje për testet standardizuese  ndërkombëtare – TOEFL dhe SAT  English
  3. Përgatitje për testet standardizuese ndërkombëtare – SAT Math

Viti 2016, është viti i parë i organizimit të Teachers Academy dhe si fillim ka qenë mjaft i suksesshëm dhe ka rezultuar në këtë përbërje:

1 – Përgatitje për testet standardizuese ndërkombëtare TOEFL dhe SAT English, është program i dizajnuar për mësimdhënësit e shkollave të mesme të larta të Kosovës, për t’u ofruar njohuri themelore rreth këshillimit dhe ndihmës së nxënësve për testet standardizuese ndërkombëtare TOEFL dhe SAT English. Kohëzgjatja e këtij trajnimi është 50 orë. Ka pasur gjithsej 88 mësimdhënës që kanë ndjekur dhe përfunduar me sukses trajnimin, të ndarë në 4 grupe. Mësimdhënësit kanë qenë nga qytete dhe shkolla të ndryshme të Kosovës si: Gjimnazi “Naim Frashëri”-Shtime, Gjimnazi “Hajdar Dushi”-Gjakovë, shkolla “Faik Konica”-Ferizaj, shkolla “Abdyl Frashëri”-Prizren, shkolla “Xhelal Hajda Toni”-Rahovec, Gjimnazi “Kuvendi i Lezhës”-Viti e kështu me radhë.

2 – Përgatitje për testet standardizuese ndërkombëtare SAT Math, është program i dizajnuar për mësimdhënësit e shkollave të mesme të larta të Kosovës për t’u ofruar  njohuri themelore rreth këshillimit të nxënësve për testin standardizues ndërkombëtar SAT Math. Kohëzgjatja e këtij trajnimi është 50 orë,  ka pasur gjithsej 39 mësimdhënës, të ndarë në 3 grupe, të cilët kanë përfunduar me sukses trajnimin.

3  Këshillime për studime në SHBA dhe bursa është program  i dizajnuar për mësimdhënësit e shkollave të mesme të larta të Kosovës për t’u ofruar njohuri themelore rreth këshillimit të nxënësve për të studiuar në SHBA dhe bursa. Kohëzgjatja e këtij trajnimi është 50 orë.  ka pasur 11 pjesëmarrës, të cilët poashtu me sukses kanë ndjekur dhe përfunduar trajnimin.

Secili nga mësimdhënësit pjesëmarrës në trajnim, së bashku me EdUSA Staff kanë mbajtur prezantime në shkolla të ndryshme nëpër Kosovë në lidhje me studimet në Amerikë si dhe, për testet standardizuese ndërkombëtare – TOEFL, SAT English dhe SAT Math. Përmbyllja finale e trajnimit ka qenë edhe certifikimi i gjithë atyre që kanë ndjekur këtë trajnim.

“Unë ndjehem i privilegjuar që isha pjesë e këtij trajnimi gjatë të cilit jemi njoftuar me përmbajtjet dhe organizimin e këtyre testeve, strukturën e pyetjeve si dhe procedurat dhe rregullat e testimeve. Pos kësaj ky trajnim është edhe në funksion të ngritjes dhe zhvillimit profesional të mësimdhënësve, prandaj inkurajoj mësimdhënësit tjerë që të përfshihen në këtë trajnim shumë të rëndësishëm”Habib Rexhepi (mësimdhënës) – Shkolla “Bafti Haxhiu”- Viti, pjesëmarrës në trajnimin “Përgatitje për Testin Standardizuese Ndërkombëtare – SAT Math”

“Pjesëmarrja ime në “EdUSA Teachers Academy” ishte një eksperiencë e cila do të kontribuojë  në formësimin tim akademik dhe do të më përcjellë vazhdimisht gjatë punës sime si mësimdhënëse. Materialet  e ofruara si dhe trajnerja ishin shumë profesional dhe të jepnin ndjesinë e një ambienti ndërkombëtar” – Samire Morina (mësimdhënëse) – Kolegji “Universum”- Prishtinë, pjesëmarrëse në trajnimin “Përgatitje për Testet Standardizuese Ndërkombëtare – TOEFL dhe SAT English”a

Pergatitur nga: Drita H. Syla, AAC – EdUSA Kosovo