SHPËRNDAJE

Arsimi Në Finlandë

Jo shumë dekada më parë, arsimi në Finlandë si edhe në shumë shtete të tjera nuk dallonte as nga struktura, metodika por as edhe nga suksesi. Siç duket atyre nuk u pëlqeu kjo dhe filluan të ndërmarrin masa drastike në këtë drejtim dhe filluan të bënin analiza se çfarë nuk shkonte, dhanë disa ide, bënë një plan dhe filluan të bënin reforma të mëdha në sistemin e tyre arsimor.

Këto reforma rezultuan në sukses të menjëhershëm dhe nxënësit dhe studentët Finlandezë u ngritën në piedestalin e arsimit me rezultatet më të mira në botë.

Si e arritën ata tërë këtë sukses?! Çfarë dallon sistemi arsimor në Finlandë nga shumë shtete të tjera?!

Cilave çështje u japin më shumë rëndësi për dallim me shumë shtete tjera të botës?!……

Sistemi finlandez i arsimit PËRBËHET nga:

  • Arsimi dhe kujdesi i fëmijërisë së hershme (vullnetar)
  • Arsimi parashkollor (1 vit, i detyrueshëm)
  • Arsimi bazë – primar (9 vjet, i detyrueshëm)
  • Arsimi i mesëm i lartë, arsimi profesional dhe / ose i përgjithshëm (3-4 vjet)
  • ARSIMI i lartë në universitete dhe universitete të shkencave të aplikuara (UAS)

Fokusi i sistemit të arsimit në Finlandë është në të nxënit gjatë gjithë jetës. Sistemi finlandez i arsimit nuk parasheh përfundim të arsimit. Studentët mund të vazhdojnë studimet e tyre në nivele më të larta të arsimit në çdo kohë që ata dëshirojnë.

Në vitin 2011, Finlanda ka shpenzuar 12,545 $ për qdo nxënës në shkollën e mesme të ulët. I gjithë shpenzimi në arsim në vitin 2011 paraqitet me një shifër prej 6.5% të GDP-së në Finlandë.

Ministria e Arsimit në Finlandë të gjithë suksesin ia atribuon sistemit të arsimit uniform për të gjitha grupmoshat, mësimdhënësve me nivel të lartë të kompetencës dhe autonominë që e kanë shkollat.

Pagesa:

Ne Finlandë arsimi është pa pagesë në të gjithë nivelet. Në nivelin parashkollor dhe atë primar tekstet shkollore, shujta ditore janë pa pagesë si dhe për ata që jetojnë më larg nga objektet shkollore edhe transporti është pa pagesë.  Në nivelin e mesëm dhe atë të lartë janë vetë studentët ose prindërit e tyre që duhet të blejnë tekstet shkollore. Në shkolla të mesme studentët kanë të drejtë për një shujtë ditore  ushqimi dhe këto shujta subvencionohen nga shteti.

Mësimdhënësit

Mësimdhënia në Finlandë konsiderohet si një profesion shumë i respektuar andaj edhe pranimi në programet universitare është tejet konkurrues. Një kandidat për mësimdhënës duhet të ketë nota shumë të larta dhe duhet të luftojë një konkurrencë shumë të ashpër për tu bërë mësimdhënës. Mësimdhënësit e nivelit të arsimit primar dhe të mesëm të lartë kërkohet që të kenë diplomë Master.

Gjithashtu mësimdhënësit në arsimin dhe aftësimin profesional duhet të kenë një diplomë të lartë arsimore. Niveli i lartë i trajnimit shihet si i domosdoshëm pasi që mësimdhënësit në Finlandë janë shumë autonomë në punën e tyre. Mësimdhënësit kalojnë mesatarisht katër orë në ditë në klasë, ndërsa çdo javë bëjnë nga dy orë “zhvillim profesional”.

Arsimi finlandez në mosha të hershme fokus të veçantë i kushton individualitetit të secilit fëmijë dhe shansin që iu ofrohet secilit fëmijë për tu zhvilluar si person unik. Mësimdhënësit e moshave të hershme gjithashtu udhëzojnë fëmijët që të zhvillojnë shkathtësitë e tyre sociale dhe interaktive, i inkurajojnë që të përkushtojnë vëmendjen ndaj nevojave të njerëzve të tjerë, të kujdesën për të tjerët dhe të kenë qasje pozitive ndaj njerëzve të tjerë, kulturave dhe ambienteve të tjera jetësore.

Për të mbjellur dhe zhvilluar kulturën e të lexuarit, në pakon e prindërve që lindin fëmijë, prindërve të fëmijëve të porsalindur u dhurohen tri libra – nga një libër për secilin prind dhe një libër për bebe për fëmijën. Sipas specialistes për zhvillim të fëmijëve Eeva Hujala, “arsimi i hershëm është faza e parë dhe më kritike e mësimit gjatë gjithë jetës. Studime neurologjike kanë treguar që 90% të rritjes dhe zhvillimit të trurit ndodh gjatë pesë viteve të para të jetës dhe 85% të rrugëve nervore zhvillohen para fillimit të shkollës”. Andaj, mosha para shkollore atje konsiderohet si tejet e rëndësishme dhe fokusi i veçantë i prindërve dhe mësimdhënësve drejtohet që fëmijët të përgatiten nga ana fizike dhe mendore para se të fillojnë të mësojnë në mënyrë më formale në moshën shtatë vjeçare. Ideja qëndron në atë se para moshës shtatë vjeçare fëmijët mësojnë gjërat kryesore nëpërmjet lojës dhe kur iu vie koha për të shkuar në shkollë ata tani janë të mprehtë dhe të gatshëm për të mësuar.

Në Finlandë fëmijët që në moshë të hershme mësohen se si të jenë më të pavarur. Pavarësinë e tyre mund të vërehet në shumë fusha. Ata shkojnë në shkollë dhe kthehen nga shkolla vetë pa ndihmë e askujt, ata janë vetë të organizuar sa i përket mësimit dhe gjërave tjera rreth procesit shkollor, ata shpesh vendosin vetë se si do të vishen në ditë të caktuara etj.

Detyrat e shtëpisë :

Në Finlandë, nxënësit sidomos ata në moshë të hershme e deri në moshën tinejgjere kanë pak apo shpesh nuk kanë fare detyra shtëpie. Po Po, kjo është e vërtetë. Ministria e arsimit thekson se sistemi arsimor atje dëshiron që fëmijët të kalojnë më shumë kohë për të qenë fëmijë, duke lozur, duke u kënaqur me jetën. Rëndësi të veçantë i kushtohet edhe asaj që fëmijët të kenë kohë që pas shkollës të kenë kohë të mjaftueshme që të shoqërohen me bashkëmoshatarët e tyre, të jenë bashkë me familjen, të merren me muzikë, të lexojnë atë çfarë ata dëshirojnë etj.

Gjatë kohës sa ata qëndrojnë në shkollë ata kanë pothuaj çdo orë nga 15 min aktivitete jashtë objektit shkollor ose në oborrin e shkollës apo edhe në natyrë. Mësimdhënësit theksojnë që në këtë mënyrë ata janë më të relaksuar dhe nga koha që kalojnë në natyre mund të hasin në gjëra që atyre mund të iu duken interesante dhe kur kthehen në klasë mund ta pyesin mësimdhënësin për atë se çfarë kanë parë për të diskutuar dhe mësuar për ato gjëra. Temat mund të jenë nga më të ndryshmet duke filluar nga ndonjë insekt, bimë, kafshë apo ndonjë dukuri natyrore, si shiu, bora,  bubullima, vetëtima, retë etj. Kjo e bën mësimin më atraktiv pasi që nxënësit mësojnë atë çfarë atyre iu duket interesant në kohë të caktuar dhe e mësojnë atë në praktikë e jo vetëm nga librat apo nga shpjegimi i mësimdhënësit

Nxënësit në Finlandë e sidomos fëmijët e vegjël nuk kanë qëndrim shumë të gjatë në shkollë. Dita shkollore për fëmijët zgjat nga 2 deri më së shumti 4 orë në ditë. Ekspertët e arsimit atje potencojnë që truri i njeriut duhet të jetë i relaksuar për të qenë në gjendje të mësojë gjëra të reja. Nëse truri është në funksion konstant të ngarkesës së të mësuarit dhe të punës atëherë truri ndalon së mësuari gjëra të reja dhe tentimi për të mësuar gjëra të reja kur truri nuk është i lodhur e bën mësimnxënien edhe më të vështirë.

Vlerësimi

Sistemi arsimor në Finlandë njihet për shumë pak ose aspak teste të standardizuara me disa opsione të përgjigjeve sidomos për nxënësit e moshave të vogla e deri në moshën tinejgjere . Nxënësit mjafton të dinë nuk kërkohet nga ata që të gjithë të kalojnë nëpër të njëjtin test të standardizuar me të njëjtat përgjigje opsionale.  Arsyetimi i ekspertëve finlandez është që nëse ju i mësoni nxënësit vetëm se si të jenë të mirë në testet standardizuese atëherë ju nuk jeni duke i mësuar ata asgjë, pasi që fokusi i tyre do të ishte që të mësojnë vetëm për teste dhe rezultate e jo që të mësojnë për shkak se është mirë të mësosh gjëra të reja. Shumë nga nxënësit shpesh marrin ndihmë shtese nga mësimdhënësit e tyre kur ata kanë nevojë. Dallimi në mes të nxënësit më të mirë dhe nxënësve të tjerë është shumë i vogël.

Mësimdhënësit shpesh e potencojnë që shkolla ka të bëjë me gjetjen e lumturisë dhe gjetjen e asaj që ju bën të lumtur. Ata janë të fokusuar që të mësojnë fëmijët të përdorin gjithçka që është e mundur në mënyrë që të funksionalizojnë sa më mirë trurin e tyre në kohën e duhur dhe në vendin e duhur. Këtu përfshihet sa më shumë ana sociale e lëndëve si arti, poezia, muzika etj. Pra nga ta kërkohet që të këndojnë , të ziejnë, të kërcejnë dhe të kënaqën me fëmijërinë e tyre.

Vlerësimi është pjesë ditore e punës në shkollë. Në Finlandë mënyra kryesore e vlerësimit të nxënësve është vlerësimi i vazhdueshëm gjatë mësimit si dhe vlerësimi përfundimtar. Vlerësimi i vazhdueshëm për qëllim ka që të udhëzojë dhe ti ndihmojë nxënësit në procesin e mësimnxënies së tyre. Çdo nxënës merr një raport vlerësimi së paku një herë në vit. Në Finlandë nuk ka teste kombëtare.

Mosdiferencim ndërmjet shkollave

Në Finlandë është karakteristike mosdiferencimi i shkollave. Atje nuk garohet se cila është shkolla më e mirë në vend. Atje konsiderohet që të gjithë shkollat në Finlandë janë të një kategorie të njëjtë dhe me kualitet të njëjtë dhe nuk tentohet të bëhen diferencime. Në kulturën Finlandeze kur ata ndërrojnë vendbanimin nga një qytet në një qytet tjetër ata asnjëherë nuk pyesin vërdallë se cila shkollë është më e mirë në qytet, ata thjesht i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollën më të afërt. Shkollat private në Finlandë pothuaj nuk ekzistojnë pasi që edhe ligji në Finlandë që nuk lejon që të kërkohet pagesë për shkollim. Andaj, edhe e gjithë shoqëria dhe prindërit janë aq shumë të fokusuar që çdo shkollë të jetë e mirë. Kjo ndikon edhe në zhdukjen e diferencave klasore në shoqëri pasi që edhe fëmijët e pasur shkojnë në të njëjtën shkollë me fëmijët më pak të pasur apo jo të pasur. Kështu, fëmijët rriten së bashku duke mos pasur diferenca në shoqëri. Shoqëria në mes këtyre nxënësve pastaj vazhdon edhe kur të rriten duke zhdukur diferencën klasore që në rrënjë. Vetëm një numër i vogël i shkollave private ekzistojnë në Finlandë e edhe ato janë të financuar nga shteti. Ambientet shkollore janë të rregulluara shpesh jo në mënyrë tradicionale por i kushtohet rëndësi të veçantë që të krijohet një ambient i këndshëm ku fëmijët do të kenë dëshirë të qëndrojnë, të luajnë, të relaksohen etj. Shpesh klasat janë aq të pastra saqë fëmijët qëndrojnë këmbëzbathur vetëm në çorape.

Mësimi është i orientuar nga nxënësit / studentët. Kjo do të thotë që për shumë gjëra në shkollë konsultohen më nxënësit, p.sh. si mund të jenë ambienti në klasë, në oborrin e shkollës etj. Shumë gjëra nga procesi mësimor mësimdhënësit i fokusojnë në atë se çfarë dëshirojnë nxënësit e tyre e jo tu imponohet ndonjë proces. Në këtë mënyre atyre që në moshë të hershme u mbillet ideja e asaj që ata vërtet mund të bëhen çfarë të dëshirojnë kur të rriten. Mësimdhënësit tentojnë ti mësojnë nxënësit me atë se çfarë ata mendojnë që është mirë për veten e tyre si dhe se si ata të jenë vetëkritik në atë se çfarë janë duke mësuar.

Ata i mësojnë nxënësit se si të mësojnë e jo çfarë të mësojnë. I mësojnë si të jenë persona të lumtur, si ta respektojnë vetën dhe të tjerët.

Ref:

https://en.wikipedia.org/wiki/Education_in_Finland ;

http://www.businessinsider.com/finland-education-school-2011-12/#e-national-curriculum-is-only-broad-guidelines-18 ; http://www.straitstimes.com/singapore/education/finn-fun ;

http://www.studyinfinland.fi/destination_finland/education_system

“Education in Finland” ;


Artikull i shkëputur nga numri i II-të i revistës Kosova Education.

Për të pranuar falas revistën e plotë ju lutem dërgoni email në kosovaeducation@gmail.com .

Ju ftojmë ta shpërndani artikullin në rrjetet tuaja sociale.