SHPËRNDAJE

PËRTEJ INSTITUCIONIT “ETEA” ËSHTË IDEJA

Organizata joqeveritare ETEA formalisht u themelua në fund të vitit 2014. Projekti i parë u realizua me datë 23 prill 2015 – për nder të Ditës Ndërkombëtare të Librit – kjo pasi ETEA ka për qëllim themelor edukimin publik. Dhe, duke qenë se edukimi i një populli fillon nga fëmijët, përfitues të projekteve dhe aktiviteteve të ETEA-së janë kryesisht fëmijët, por pa përjashtuar grupmoshat e tjera – në veçanti kur aktivitetet kanë të bëjnë me librin pasi që dihet se libri i përket të gjitha moshave.

Përmes aktiviteteve të organizuara, ETEA synon që nëpërmjet edukimit publik të ndikoj kryesisht në ndërgjegjësimin qytetarë rreth të drejtave dhe lirive të njeriut, vlerave kulturore dhe qytetarisë aktive. Aktualisht, Organizata joqeveritare ETEA ka dy programe përmes së cilave ushtron veprimtarinë e saj:

1) Programi për të drejtat e njeriut

– Në fokus të drejtat dhe liritë e fëmijëve

2) Programi për aktivitete kulturore

– Në fokus promovimi i librit dhe leximit

ETEA është shoqatë jo-fitimprurëse e tipit të hapur të kufizuar. Pra, organizata është e hapur për ata mirëbërës që duan të mbështesin kauzën e saj, me të vetmin kriter që – idetë dhe aktivitetet të mos dalin përtej qëllimit të themelimit. Çdo anëtar i ETEA-së është pjesë e Kuvendit të Anëtarëve, ky i fundit organi më i lartë drejtues i organizatës. ETEA qëndron përkrah nismave të shoqërisë civile, ku dhe është pjesë e disa prej rrjeteve më të mëdha të OSHC-ve në Kosovë. Projektet e ETEA-së janë përkrahur nga donatorë vendor lokal dhe qendrorë, si dhe donatorë të jashtëm. Sipas planit strategjik, brenda një periudhe kohore 5 vjeçare ETEA synon të shndërrohet në “Think Tank” dhe të ketë ndikim konkret në përmirësimin e gjendjes në fushën e të drejtave dhe lirive të fëmijëve, si dhe përmirësimin e gjendjes së librit dhe sistemit arsimor në Kosovë.

Duke qenë se kjo organizate është themeluar me shumë dashuri, fillimisht është menduar të emërohet – DUA. Mirëpo, për shkak të mundësisë së të etiketuarit si organizatë me preferenca fetare është vendosur për emrin ETEA.

ETEA nënkupton gjendje shpirtërore, frymë dalluese morale të një kulture apo një epoke; ETEA është shumësi i etosit prej nga rrjedh fjala etikë. Pra, me pak fjale, përtej institucionit – ETEA ESHTE IDEJA.

ETEA sot përbehet nga nje grup i të rinjve me profesione të ndryshme, e të cilët nga pikënisjet e ndryshme të gjithë kanë një pikësynim të përbashkët – edukimin publik. Kjo e fundit, arrihet vetëm duke edukuar dhe aftësuar gjeneratat e reja si dhe duke ndikuar ne nivelin e kulturës së të lexuarit tek bashkësia shoqërore.

Të punosh me fëmijët sot, nënkupton të mos kesh nevoje të punosh me të rriturit nesër. Pra, përmes programit për të drejtat e fëmijëve synojmë që në një të ardhme të afërt të ndikojmë në krijimin e gjeneratave me njerëz më të mirë dhe më të aftë për t’i dalë zot vetës së tyre, rrjedhimisht të krijojmë individë dhe komunitete të pajisura me njohuri, qëndrime, vlera dhe aftësi për t’i gëzuar dhe realizuar të drejtat e tyre si dhe për të respektuar dhe mbrojtur të drejtat dhe liritë e të tjerëve. Është shumë më lehtë të ndikohet për të mirë mentaliteti i fëmijëve se sa i të rriturve, përderisa, siç u theksua – të punosh sot me fëmijë nënkupton të mos kesh nevojë të punosh nesër me të rriturit në këtë aspekt, pasi ata – kuptohet – do të jenë të aftë të punojnë me vetën e tyre.

Ndërsa, për sa i përket kulturës së të lexuarit, duhet theksuar se ne si shoqëri kemi vuajtur shumë si nga cenimi i skajshëm i të drejtës në edukim nga pushtuesit e njëpasnjëshëm, po aq edhe nga të qenurit shoqëri patriarkale, me ç’rast vajzat deri vonë nuk kishin qasje në edukim. Mirëpo, pavarësisht kësaj, në epokën e paraluftës ishte evidente dëshira dhe vullneti i pakrahasueshëm për mësimnxënie sa që procesi mësimor zhvillohej në shtëpitë-shkolla dhe kemi shumë raste ku për qëllime edukative është sakrifikuar edhe vet jeta. Sot, duke qenë se kushtet janë vërtet më të favorshme dhe mentaliteti patriarkal kë rënë, duket qartë mungesa e vullnetit për të lexuar – gjë që e bën edhe më shqetësuese çështjen në fjalë. Edukimi është shtylla kryesore e një vendi dhe shoqërie e cila më së shumti kultivohet nëpërmjet leximit të librave, dhe në mungesë të kulturës së të lexuarit nuk pritet të kemi politikanë, doktorë, policë e mësimdhënës të ndershëm dhe profesional. Prandaj, jo kot thuhet se paraja dhe energjia e investuar në edukim është investimi më i sigurt për zhvillimin e vendit dhe shoqërisë. “Nëse do të korrësh për 1 vit”, thoshte Sami Frashëri, “mbill misër e grurë, kurse nëse do të korrësh për 100 vjet – mbill arsim dhe kulturë.” Sot, çdo agjendë dhe program politik, si dhe çdo pjesëtarë i shoqërisë që merret me çështje publike – thirret dhe ka si pikësynim kryesor zhvillimin ekonomik të vendit dhe uljen e nivelit të lartë të papunësisë. Për të njëjtat dëgjojmë të ankohet çdo qytetar i vendit. Mirëpo, duket sikur kemi harruar shkakun, pasi mungesa e zhvillimit ekonomik dhe niveli i lartë i papunësisë janë pasoja. Pasojat – në mënyrë reale dhe të qëndrueshme – ndryshojnë vetëm pas identifikimit dhe luftimit të shkakut, shkaktarit të tyre. Përndryshe, si mund të presim një bashkësi shoqërore të zhvilluar, përderisa është e paedukuar? Pra, është fjala për urtësinë dhe mençurinë si komponentë të edukimit, jo për arsimin. Shkolla dhe lëndët obligative mësimore nuk të ofrojnë urtësinë dhe mençurinë po nuk pate të zhvilluar shprehinë e të lexuarit me vullnet të lirë. Në anën tjetër, ne si shoqëri, që nga e kaluara, dhe edhe më tutje jemi të prirur për të kërkuar diçka të re, zgjidhje të reja dhe të mëdha me rezultate të menjëhershme, të prirur për të bërë planifikime për zgjidhjen e problemeve globale! Ne kemi harruar që mund të kemi pikërisht nën këmbët dhe në duart tona disa nga mjetet dhe mënyrat më të mira që na duhen për ndërgjegjësimin e komunitetit dhe zhvillimin e bashkësisë shoqërore. “Një fëmijë, një mësues, një libër dhe një laps”, sipas Malala Yousafzai, “mund të ndryshojnë botën.”

Aktiviteti i fundit i ETEA-s: Silent Reading Party (shq. Festa e leximit ne heshtje)

Kohet e fundit ETEA ka filluar të organizoj një aktivitet mjaft atraktiv për shoqërinë tonë dhe me gjerë. Të bësh party duke lexuar, pra diçka e tillë në rrethin tonë nuk është dëgjuar më parë, apo jo?

Në fakt kjo nuk është diçka e panjohur për shoqëritë e zhvilluara, me c’rast përmes hulumtimeve anëtaret e ETEA-s, përkatësisht Suzana Berisha ka hasur në ketë aktivitet të cilin e realizojnë të rinjtë në perëndim. Dhe, duke marr për bazë faktin se sa shumë frekuentohen kafiteritë tek ne – ky aktivitet del të jete më se i qëlluar. Rrjedhimisht, “Silent Reading Party” për herë të parë në Kosove ka filluar të organizohet nga ETEA, dhe do të vazhdoj edhe më tutje.

Deri sot janë bërë tri organizime të Festës së leximit në heshtje, ndërsa e katërta do të vijë para festave të fundvitit. Në tri organizimet e kaluara pjesëmarrja ka qenë mjaftë e kënaqshme siç mund të shihet në fotografitë e bashkangjitura dhe në videot që janë të postuara në faqe të ETEA-s. Ajo çka e ka veçuar dhe e ka zbukuruar edhe më shumë ketë organizim ka qenë fakti se në të gjitha organizimet kanë marrë pjesë edhe prindërit së bashku me fëmijët e tyre. Kjo si rrjedhoje se në ketë party mungon zhurma që të vret timpanin, tymi që të ngacmon frymëmarrjen dhe pijet që ta çorientoje trurin. Përkundrazi, ë jesh i pranishëm në Silent Reading Party është vërtet një kënaqësi shpirtërore. Aroma e librave, pamja e qytetarëve të kulturuar duke lexuar në ambiente të  ngrohta si dhe të dëgjuarit e muzikës klasike relaksuese për koncentrim dhe fokus – të bën të përjetosh një energji të pakrahasueshme. Për më tutje, kjo party të zgjat jetën. Seriozisht, shkencëtaret kanë konstatuar se leximi zgjat jetën.

Vlen të theksohet se, Festa e leximit në heshtje synon ta fus librin në ambientet ku të rinjtë tanë kalojnë shumicën e kohës së tyre, pra në kafiteri. Njëherësh, ky aktivitet promovon faktin se kafja, çaji dhe pijet tjera mund të shijohen shumë më shumë nëse pihen në shoqërinë e një shkrimtari, edhe pse ndonjëherë ndodh të harrohen në tërësi pasi tregimet e Nietzches, Hesse-se, Kadare-se, Malala-s, etj. të bëjnë të hysh në mendime të thella dhe të harrosh gjithçka çfarë ka përreth teje. Mos harro, të lexosh një libër nënkupton të takosh një autor. Dhe e dini se ç’është më mira? Ai është në dispozicionin tënd 24/7, pra ju mund ta keni autorin tuaj të preferuar në çdo kohe pasi ai asnjëherë nuk do të thotë jo, asnjëherë nuk do të ketë ndonjë punë më me rendësi se sa të kaloj kohën e tij me ty.

Sa për njoftim, ETEA në kuadër të këtij aktiviteti do të sjell edhe risi të tjera. Ndër to do të jenë diskutimet mes lexuesve për fragmentet e librit që kanë lexuar gjatë asaj kohe, shpërblimet për lexuesit e rregullt në ketë party, të ftuarit e shkrimtareve për t’u bere pjese e aktivitetit, etj. Njëherësh pritet që të sigurohet edhe një donator me qellim që aktiviteti të zgjerohet edhe nëpër qytetet e tjera të Kosovës.

Krejt në fund, mund të themi lirisht se ardhja e këtij aktiviteti në Kosove përfundimisht e ka begatuar kulturën tonë.