SHPËRNDAJE

Çfarë Dëshironi të Bëheni kur të rriteni?!

Pyetje kjo që pothuaj se çdo njëri e ka përjetuar gjatë kohës sa ka qenë fëmijë. Por si vendosin këta fëmijë se çfarë do të bëhen kur të rriten? A marrin këtë vendim në mënyrë të pavarur apo ua imponon dikush apo diçka? Arrijnë të bëhen ata se çfarë kishin thënë apo çfarë kishin dashur kur ishin të vegjël? Kjo dhe shumë çka tjetër mbetet për tu elaboruar në vijim.

Fëmijët mësojnë mbi jetën duke parë të tjerët përreth, duke filluar nga prindërit, familjarët e tjerë, nga shokët dhe nga mediat e ndryshme. Ata gjithashtu krijojnë një perceptim mbi botën e cila i rrethon në bazë të informatave që i servohen nga po ai rreth që i rrethon. Në bazë të këtyre informatave ata fillojnë të dëshirojnë të kenë gjëra për veten e tyre, të bëjnë gjëra apo edhe të imagjinojnë se çfarë do të bëjnë në të ardhmen. Ata shpesh fillojnë të imitojnë të rriturit dhe profesionet e tyre, besa shpesh edhe prindërit i bëjnë ata që në lojërat e tyre të përditshme të imitojnë profesionet e njërit apo tjetrit prind. Pastaj vjen edhe pyetja e famshme “ Çfarë dëshiron të bëhesh kur të rritesh?!”.

Janë një mori faktorësh që do të ndikojnë se çfarë vendosin të bëhen dhe çfarë do të bëhen në të vërtetë kur të rriten.

Sa janë më të vegjël fëmijët zakonisht janë shumë në ndikimin e prindërve të cilët tentojnë që fëmijët e tyre ti orientojnë që të duan diçka çfarë ata mendojnë që do të jetë mirë për ta. Por a është kjo në të vërtetë ajo që do të jetë mirë për ta do të varet nga shumë faktorë në të ardhmen?!

Në kohën e adoleshencës fëmijët fillojnë të ndjejnë dëshirën dhe nevojën për tu pavarësuar si në vendimet që marrin ashtu edhe në veprimet që bëjnë. Zakonisht kjo dëshirë për tu pavarësuar rrjedh si një nevojë pavarësimi nga prindërit të cilët deri në atë kohë kishin ndikim ta vazhdueshëm mbi fëmijët. Andaj, në këtë kohë fëmijët në kontakt me shokët e tyre fillojnë të krijojnë perceptime te reja mbi jetën dhe mbi atë se çfarë dëshirojnë të bëhen në jetë. Ky kombinim ndikimi tek fëmijët sjell një situatë kur ata do të duhet të vendosin nga ajo se çfarë i kishin thënë prindërit në lidhje me profesionin, nga ajo se çfarë kishin mësuar nga shokët dhe rrethi si dhe nga ajo çfarë ata kishin krijuar si një dëshirë të tyre personale gjatë tërë kësaj kohe apo si burim i diçkaje të lindur.

Të gjithë do të donin që profesioni i tyre të jetë një profesion që ata do ta kishin zgjedhur dhe që do ta bënin me dëshirë. Ashtu edhe thuhet pra “se puna më e mirë është kur bën atë që të pëlqen”.Por, se çfarë profesioni zgjedhin njerëzit jo gjithherë varet nga ata. Shpesh rrethanat ekonomike në familje por edhe në vend përcaktojnë profesionet e njerëzve.

Në Kosovën e pasluftës trendi më i madh i fushave për studim ishin Ekonomia me nëndegët e saj, Mjekësia dhe Teknologjia Informative. Por, Kosova si një treg i vogël i punës nuk mundet të përballojë fluksin e të diplomuarve të shumtë në vetëm disa fusha të caktuara. Andaj, edhe shumë të diplomuar kanë vështirësi që të kyçen në tregun e punës pikërisht për shkak të vendimit se çfarë ata kanë studiuar

Në anën tjetër zhvillimi i sektorit të shkollave profesionale ka një ngecje të madhe në Kosovë. Kjo, ndoshta edhe si pasojë e vendimit të prindërve që fëmijët e tyre mos të orientohen në zanate. Një fjalë e urtë thotë “Zanati kurrë nuk të len pa bukë”, por në ditët e sotme zanati jo vetëm që nuk të le pa punë, por shumë zanatlinj kanë dëshmuar që nga zanati mund të krijojnë biznese shume fitimprurëse.

Një trend i ri i punësimit së fundmi është edhe punësimi në shtetet perëndimore. Gjermania p.sh ka mungesë të një numri të konsiderueshëm të fuqisë punëtore në disa fusha të caktuara siç janë: infermieria, teknologjia Informative, Inxhinieria, zanate të ndryshme, gastronomi, shoferë etj. Andaj, edhe te ne shumë të rinj iu kanë qasur këtij tregu të punës ose duke aplikuar me kualifikimet relevante që kanë apo edhe duke regjistruar në fushat përkatëse të kërkuara.

Një problem tjetër në përcaktimin e profesionit paraqitet edhe zhvillimi i shpejtë i teknologjisë e sidomos të Teknologjisë Informative. Studentët tani nuk duhet të studiojnë dhe të mësojnë vetëm për atë që kërkohet tani, por ata duhet ti kenë parasysh ndryshimet e shpejta të teknologjisë dhe të orientohen në fushat që do të kërkohen pas 3, 5 apo 10 vitesh. P.sh. një gjuhë programuese që është në përdorim tani në prodhimin e softuerëve të ndryshëm nuk do të thotë që e njëjta gjuhë do të jetë trendi dhe do të përdoret pas 3, 5 apo 10 vitesh.

Do të ishte mirë sikur secili i ri, të arrijë moshën e pjekurisë në kohën e duhur dhe të jetë i aftë të merr vetë vendimet mbi atë se çfarë i pëlqen dhe çfarë dëshiron të bëhet.

Me shpresë që nuk do bëhet si njëri që thoshte se “po jetoj në një vend ku njeriu i bën 40 vite dhe ende nuk e din se çfarë do bëhet kur të rritet”. Mundohuni që mos të vini në një situatë si ky. Edhe pse kurrë nuk është vonë pasi që njerëzit sipas nevojës së kohës edhe mund të ndërrojnë disa profesione gjatë jetë së tyre.

E shenjta Nënë Terezë kishte thënë “ Çfarëdo që të bëni, bëjeni me shpirt, kujdes dhe dashuri, ose mos e bëni fare”. Siç duket këtu është suksesi i çdo profesioni.

Suksese!

Proverba e marre nga libri “ Kane thëne për…. “ – Hedvig Kadriu